Thursday, November 11, 2010

                          Si ndikon kafja ne shendetin e njeriut

 Ekspertët gjermanë dhe ata amerikanë rikonfirmojnë edhe një herë efektet pozitive të kafesë në shëndetin e njeriut. Vetëm pak kohë më parë ishte vërtetuar pjesërisht nga kërkuesit italianë se procesi ndaj kafesë kishte “mbaruar”. Pija më e konsumuar dhe më e dashur në botë ishte çliruar përfundimisht nga akuzat. Tani nuk ka më asnjë dyshim, studimi i Institutit Italian për ushqyerjen dhe ushqimin mbështetet plotësisht edhe nga studiuesit e Universitetit gjerman të Barennit të Mynihut, si dhe kolegët e tyre në “Harvard School of Public Health”, Wolfgang Winkelmayer e Rob Van Dam. Përfundimi është i njëjtë: nëse nuk kalohet limiti i katër filxhanëve kafe ekspres në ditë, domethënë rreth 300 miligramë kafeinë, rreziku për aritmi kardiake dhe hipertension nuk ekziston. Po ashtu, përveçse është një rit special, kafeja ndihmon tretjen, mban zemrën në formë të mirë dhe nga aroma e saj çlirohen substanca kimike me një fuqi të madhe antioksiduese. Kështu, pija e zezë, “mbreti” pas çdo pauze në punë dhe daljeje me miqtë, duket se po jeton në shkallë ndërkombëtare një imazh tjetër nga ajo që të gjithë kishin menduar më parë. Askush nuk mund ta mohojë se për vite e vite me radhë pija më e dashur në botë është parë me një sy tjetër, çka i ka detyruar specialistët e kësaj fushe të zhvillojnë studime të detajuara.
Konsumimi
Ideja se konsumimi i disa filxhanëve në ditë rrit tensionin e gjakut dhe shkakton dëme kardiovaskulare tani nuk ekziston më. “Kjo është zyrtare. Studimet që tregonin në të kaluarën se kafeja është e dëmshme për organizmin, tani nuk mund të mbrohen më”,- ka deklaruar Thomas Hofman, docent i kimisë ushqimore në Universitetin gjerman të Munster. Gjithashtu, ai tregon se kafeja është një përzierje e më shumë se njëmijë substancash, shumë prej të cilave akoma nuk janë studiuar për efektin e tyre mbi shëndetin njerëzor. “Është e vërtetë që shumë nuk janë studiuar, por ato më të rëndësishmet për të dalë në një përfundim, janë studiuar”,- tregon ai. Në fakt, deri tani ishte menduar se rreziku shkaktohej i gjithi nga kafeina, e cila vepronte mbi zemrën dhe sistemin nervor qendror, duke bllokuar proteinat që vepronin në qelizat nervore si receptorë të adenozinës, veprim kimik që kryhej nga sheqeri dhe një bazë e zotuar me strukturë të njëjtë me kafeinën, në gjendje për të shkaktuar përgjumje dhe për të ngadalësuar aktivitetin natyral. Në këtë mënyrë, duke bllokuar veprimin e adenozinës, kafeina shkaktonte efektin e njohur të mungesës së përqendrimit dhe nxiste lodhjen, por që kurrsesi nuk mund të thuhet se është e dëmshme për shëndetin.
Studimi
Ashtu si të gjithë përbërësit e tjerë ushqimorë, studimi aktual tregon problemet që mund të shkaktohen vetëm nga mënyra se si kafeja konsumohet. Sipas mjekëve të studimit, kush pi rregullisht kafe, nuk ka asnjë rrezik që kafeina të veprojë negativisht mbi të, por ata që nuk janë mësuar me kafenë dhe papritur fillojnë të pinë shumë filxhanë, duhet të përballen me sindromat e një doze të tepruar, që fillojnë nga nervozizmi e deri te rrahjet jo të rregullta të zemrës. Kjo do të thotë se nëse nuk kalohet kufiri i katër kafeve ekspres në ditë, domethënë rreth 300 miligramë kafeinë, rreziku i aritmive kardiake dhe hipertensionit largohet, ku përjashtim bëjnë vetëm personat me tension të lartë dhe shumë të ndjeshëm ndaj kafeinës, të cilëve nuk u rekomandohet absolutisht konsumi i kaq shumë filxhanëve në ditë. Por, përveç ekspertëve evropianë, lajme të mira për “pijen më të dashur në botë” vijnë nga dy kërkuesit e “Harvard School of Public Health”, Wolfgang Winkelmayer dhe Rob van Dam. I pari ka zhvilluar një studim për një periudhë të gjatë kohe duke vëzhguar më shumë se 150 mijë gra, në përfundim të së cilit arriti në konkluzionin: “Konsumi i kafesë nuk ndikon aspak në rritjen e tensionit të gjakut”. E ndërsa studime të ngjashme u zhvilluan edhe te burrat, Van Dam nënvizon: “Kjo ndodh, sepse kafeja me sa duket përmban edhe substanca që neutralizojnë të ashtuquajtura efektet negative të kafeinës”.
Abuzimi
Një pije “inteligjente” dhe e domosdoshme, megjithatë, gjëja ku duhet treguar më shumë kujdes ka të bëjë me konsumin e saj. Mes të tjerash, kjo “ftesë” vjen dhe nga prezantimi i fundit për temën “Kafeja dhe shëndeti”, zhvilluar nën kujdesin e INRAN, Instituti Kombëtar i Kërkimit për Ushqimet dhe Ushqyerjen, me kontributin e enteve të tillë si “Fondacioni për studimet mi ushqimet”, i cili që nga viti 1986 është pikë referimi shkencor, kombëtar dhe ndërkombëtar për kërkimet në këtë sektor; instituti farmakologjik “Mario Negri” në Milano dhe instituti britanik “Coffee Science Information Centre”, që përmbledh studimet më të fundit të kësaj fushe të publikuara në revistat më të mira shkencore. Por abuzimi me kafenë mund të shkaktojnë intaksikacion, të njohur ndryshe me emrin kafeinizëm, që shkakton irritim dhe shqetësime të gjumit e që mund të bëhet vdekjeprurës vetëm në rastin teorik, nëse konsumohen rreth 120 ekspres brenda harkut kohor prej 30 minutash, e barabartë kjo me asimilimin e dhjetë gramëve kafeinë. Kush nuk ka ndërmend të bëjë çmenduri të tilla dhe nuk i kalon më shumë se katër filxhanë në ditë, nuk ka asnjë arsye përse të trembet. Kjo sepse edhe kafeina nuk mund të konsiderohet në asnjë mënyrë si një substancë që jep varësi si drogat e vërteta.
Sportistët
Nga këtej del se kafeja është edhe një mike e mirë e sportistëve. Falë veprimit të saj kardiotonik dhe brono-zgjerues, kafeina mund të japë një ndihmë për një imazh të mirë artistik, pa iu trembur aspak testit anti-doping, që mund të tregojë diçka të çuditshme vetëm nëse kalohet kufiri i 12 miligramë kafeine për një litër urinë, sasi që korrespondon jo më shumë se 12 kafe ekspres përnjëherësh. Por, për të kuptuar sa kafeinë ka konsumuar një njeri, është e rëndësishme të mos lësh pas dore diferencën mes ekspresit të pirë në bar dhe kafesë së përgatitur në shtëpi, që mesatarisht përmban nga 40 deri në 80 mg, apo edhe krahasimin e bërë me kafenë e quajtur ndryshe “amerikane”. Megjithatë, kjo nuk është një e vërtetë absolute. Shpesh herë mund të arrihet e kundërta në varësi të mënyrës së përgatitjes.
Pirja pas vakteve
Zakoni për të pirë kafe menjëherë pas vakteve të ngrënies është pozitiv, për faktin se ndihmon tretjen, duke stimuluar sekrecionet acide të stomakut. Ndërkaq, kush vuan nga një sekretim i tepruar gastrik, duhet patjetër të kufizojë përdorimin e kësaj pijeje. Nuk duhet harruar kurrsesi se nga aroma e kafesë lëshohen rreth 900 substanca kimike me një fuqi të madhe antioksiduese. Bëhet fjalë për substanca kimike që shpërbëhen shpejt në ajër, ndaj për këtë arsye specialistët tregojnë se kafeja duhet pirë menjëherë pas përgatitjes, pa e lënë të ftohet. Nëse nuk është vërtet një “ilaç që të zgjat jetën”, padyshim që është diçka që i ngjan shumë. Është provuar se antioksiduesit që përmban çdo kokërr e saj parandalojnë shumë sëmundje, mes të cilave shumë lloje kanceresh, si ata të pankreasit dhe zorrës së trashë, vonon procesin e plakjes duke bllokuar aksionin dëmtues që zhvillohet në qelizat e tyre. Me pak fjalë, kafja është një “mikeshë” nga e cila nuk duhet hequr dorë kurrë.

No comments:

Post a Comment